Guvernatori Sejko takim me profesionistët e rinj – Zhvillohet programi i LEAD Albania
Në një deklaratë për shtyp është njoftuar se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e Programit LEAD Albania 2021 të organizuar nga Fondacioni-Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Programi LEAD Albania.
Qëllimi i programit është që t’u sigurojë pjesëmarrësve, të cilët janë profesionistë të rinj dhe të talentuar shqiptarë, përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë. Përvoja pasurohet me një komponent edukimi, në kuadër të të cilit pjesëmarrësve të Programit u jepet mundësia për t’u njohur dhe për t’u takuar me udhëheqës të nivelit të lartë nga sektori publik dhe privat, diplomatë etj. Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi misionin, objektivat, vizionin, vlerat, rolin dhe rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë si bankë qendrore. Ai theksoi se vizioni i Bankës së Shqipërisë është qeverisja e mirë, përmes forcimit të pavarësisë, rritjes së llogaridhënies e transparencës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek institucioni.
Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Nëpërmjet arritjes së këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ndihmon në krijimin e premisave të duhura për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, të punësimit dhe të mirëqenies, ruan vlerat e kursimeve, si dhe ndihmon stabilitetin e zhvillimin e sistemit financiar.
Përmbushja e objektivit realizohet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit në mënyrë të pavarur të politikës monetare.
Si emetuese e monedhës kombëtare, Banka e Shqipërisë nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave me synim: sigurimin e qarkullimit të sigurt, të shpejtë dhe me kosto të ulët të parasë në ekonomi; parandalimin e rrezikut sistemi; dhe ruajtjen e stabilitetit të institucioneve dhe tregjeve financiare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.