Hapat/Si do të punësohen në shtet studentët me mesatare 9-10? Vendet shpallen në janar, kontrata 1 vjeçare. Short për ata me mesatare të njëjtë
Kryeministria dhe ministritë pritet që të bëjnë dy shpallje të vendeve vakante që kanë për vitin 2019. Shpallja e parë është parashikuar të bëhet gjatë muajit janar ndërsa shpallja e dytë në muajin gusht. Këto vende do t’u ofrohen studentëve që kanë përfunduar studimet në vitin 2017 me notë mesatare nga 9.00-10.00. Për këta të sapodiplomuar që do të punësohen jashtë procedurave të konkurrimit të shërbimit civil, do të ofrohet një kontratë pune 1 vjeçare.
Vendimi për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil, parashikon se procesi i përzgjedhjes dhe emërimit do të menaxhohet nga Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë.
Pasi të bëhet shpallja e vendeve vakante, të sapodiplomuarit e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin pranë Kryeministrisë apo ministrisë që ka bërë shpalljen publike në mënyrën e përcaktuar në të, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen përkatëse zyrtare.
Kryeministria/ministritë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit, bazuar në mesataren e studentëve të cilët kanë shprehur interesin krijojnë listat përkatëse duke i renditur ata për secilin nga grupet e përcaktuara dhe për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara mbi bazën e kriterit të nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës. Studentët, të cilët kanë diplomë të niveleve më të larta se ai që kërkon pozicioni i punës, renditen në të gjitha grupet e pozicioneve të fushës përkatëse të studimit, pavarësisht nivelit të diplomës të kërkuar për grupin përkatës.
Kryeministria/ministritë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga krijimi i listave të këtij vendimi, i publikojnë ato në faqet respektive zyrtare. Brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e krijimit të listave, Kryeministria/ministritë thërrasin studentët të cilët, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë brenda grupit përkatës, përzgjedhin pozicionin ku duan të emërohen në mënyrë të përkohshme.
E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:
a) Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;
b) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;
c) Studentët e diplomuar në institucionet/ programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.
Diplomat e përfituara jashtë vendit duhet të jenë të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas legjislacionit në fuqi.
Në rastet e studentëve me mesatare të njëjtë, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short në prezencë të tyre.
Kryeministria/ministritë, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i procesit të këtij vendimi:
a) publikojnë në faqet e tyre zyrtare listat e studentëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës;
b) dërgojnë pranë institucioneve të tyre të varësisë listat e studentëve të cilët kanë përzgjedhur pozicionet e punës për secilin institucion.
Institucionet përkatëse lidhin kontratat e përkohshme të punës me studentët, sipas listave të dërguara nga Kryeministria/ministritë, të cilat respektojnë përputhshmërinë e nivelit dhe të fushës së studimit me kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës për pozicionin respektiv të punës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.