“Hapet thesi” për blerjet dhe mirëmbajtjen – Janar-Tetor 2021/ U shpenzuan 336 milionë euro, shifra më e lartë ndër vite

Buxheti i shtetit ka paguar në 10 muaj, 41 miliardë lekë apo 336 milionë euro për shpenzime operative dhe mirëmbajtje. Sipas të dhënave zyrtare të financave, vlera për këtë kategori shpenzimesh për periudhën Janar-Tetor 2021 është më e larta e 10 viteve të fundit, e krahasuar me të njëjtat periudha. Ndërsa vetëm në raport me një vit më parë, rritja është me 36 milionë euro apo 11.9 për qind.
Por çfarë përfshihen tek shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes dhe pse ky kapërcim? Shpenzimet operative lidhen me shpenzime udhëtimi, transporti, blerje për material zyre apo mobilime, pagesa të faturave të energjisë, ujit, telefonit, etj. Ndërsa tek mirëmbajtja përfshihen rikonstruksione të vogla në godina që lidhen me amortizimin e tyre.
Rritja gjatë këtij viti duket se është e lidhur drejtpërdrejt edhe me zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në muajin Prill çka kanë sjellë dhe kosto më të larta për institucionet. Ndërkohë që duket se institucionet qendrore nuk ka pasur kujdes në shpenzime, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi si pasojë e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid19, gjë që duhet të diktonte dhe një kujdes më të lartë në këtë drejtim.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.