IKMT rikthen shpërthimet me eksploziv – Të dielën dy godina të planifikuara në Fier për t’u shembur

Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Fier për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit ka bërë që të rikthehet nevoja për prishjen e godinave që pengojnë projektin.
IKMT ka vendosur të shembë të dielën në këtë qytet dy objekte me shpërthim të kontrolluar. Objektet, njëri katër katësh dhe tjetri pesë katësh, do të shemben në të njëjtën kohë.
Specialistët e IKMT kanë hapur 800 furnella (vrima) në trupat e ndërtesave, ndërsa parashikohet të përdoret 24 kilogramë lëndë plasëse. Për eliminimin e dëmeve janë vendosur në të dy objektet dhe pranë tyre 3 mijë thasë me rërë, si dhe një mijë metra skelë, për mbrojtjen e objekteve të tjera që ndodhen pranë shpërthimit.
Po ashtu janë porositur banorët që në orën 13.00, kur parashikohet të kryhet shpërthimi të mbajnë hapur dyert dhe dritaret për të shmangur valën goditëse.
Aksioni në Fier ka nisur që prej ditës së hënë dhe deri tani janë prishur 15 objekte dy dhe më shumë katëshe me funksione të ndryshme shërbimi. Nuk është regjistruar asnjë incident.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.