Importi i mbetjeve, ligji kthehet në Kuvend në programin 6-javor

Importi i mbetjeve “molla e sherrit” mes shoqërisë civile, ricikluesve dhe qeverisë do të rikthehet në Kuvend. Dekreti i Presidentit të Republikës sa i përket ndryshimeve në ligj për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të diskutohet në Kuvend brenda afatit kohor 16 janar – 24 shkurt.
Dekreti është depozituar në Kuvend në 14 tetor të vitit të shkuar, por që nuk u përfshi në punimet e tij deri në fund të vitit 2016. Nëse i referohemi programit 6 javor të Kuvendit, bie në sy që edhe ky ligj që ka nxitur shumë debate do të rikthehet përsëri në vëmendje jo vetëm të politikës por edhe të shoqërisë civile dhe të biznesit.Shoqëria civle është kundër importit të mbetjeve në vend ndërkohë që ricikluesit dhe qeveria e shohin si një mundësi të mirë për të rritur të ardhurat por edhe numrin e të punësuarve në këtë sektor.
Aktualisht kompanitë e riciklimit nuk punojnë më të gjithë kapacitetin e tyre pasi ka mugesë të lëndës së parë, ata përdorin vëtëm 26% të kapacitetit të tyre. Kjo jo se në Shqipëri nuk ka mbetje por se ato nuk janë të ndara që në burim, duke bërë që të mos përdoren nga ricikluesit. Industria e riciklimit është një nga sektorët që po njeh zhvillim vitete e fundit me një investim prej rreth 200 milionë euro.
Aktulisht kjo industri gjeneron rreth 150 milionë euro të ardhura në vit.Shoqëria civile në deklaratat e saj është shprehur se nuk do të lejojë importin e mbetjeve në vend, duke kërcënuar me protesta të vazhdueshme.Nga ana tjetër Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ka njoftuar se më 23 janar do të organizojë një Tryezë Diskutimi mbi këtë ligj. Sa i përket politikës nuk dihet nëse ky ligj do të kalojë në Kuvend duke qënë se jemi edhe në një vit zgjedhor.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.