Importi i prodhimeve bujqësore – “Taksa doganore ka çrregulluar tregun vendor”
Ngritja e taksës doganore deri në 30 për qind për prodhimet bujqësore që hyjnë në Kosovë ka çrregulluar tregun vendor, sipas Odës Ekonomike të Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës bënë thirrje që të ketë politikëbërje të matur në raport me efektet e politikave nacionale mbi bizneset vendore dhe konkurueshmërisë së tyre në raport me rajonin.
“Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura”.
Ky vendim sipas OEK ka dhënë efekt direkt mbi kompanitë e industrisë përkatëse, ku është raportuar se rritja mesatare e çmimeve për produktet që ka prekur masa mbrojtëse është 21.6%, kjo për arsye se është rritur çmimi i lëndës së parë dhe kostoja e importit për kompanitë tregtare.
“Si rezultat i matshëm i këtij vendimi është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur. Për më shumë, shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime dhe se vendimi nuk është marrë në kohë të përshtatshme”.
Oda Ekonomike e Kosovës apelon që para se të merren vendime të ngjashme në të ardhmen, të bëhen analiza dhe studime të detajuara lidhur me efektet zinxhirore që pasojnë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.