Importuesit i kërkojnë qeverisë heqjen e detyrimit për përkthimin e certifikatave
Bizneset që importojnë mallra në vendin tonë i kanë kërkuar qeverisë heqjen e dokumentave të noterizimit për certifikatat e produkteve të importit.
Sipas përfaqësueve të këtyre bizneseve, procesi i përkthimit dhe noterizimit kërkon kohë, kushton disa miliona euro në vit dhe mbi të gjitha nuk sjell asgjë për rritjen e sigurisë ushqimore.
Në letrën e drejtorit ekzekutiv të “Albanian Food Industry” Alban Zusi, drejtuar kryeministrit, ai shprehet se “kostoja e shtuar ndikon në konkurrueshmërinë e produkteve”. Bizneset theksojnë gjithashtu se përkthimi zyrtar e noterizimi i çdo certifikate importi nuk është i bazuar në ligj.
Propozimet që jep biznesi për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje, është njohja e dokumentacionit në gjuhën e origjinës. Sipas rregullave të përgjithshme europiane për certifikatat, përcaktohet se një shtet anëtar i BE-së mund të japë pëlqimin për përdorimin e një gjuhe zyrtare të komunitetit, në vend të gjuhës së tyre.
Konkretisht Franca lejon përdorimin e gjuhës angleze, ndërsa importuesit nxisin vendin tonë të bëjë të njëjtën gjë.
Edhe marrëveshjet dypalëshe mes vendeve mund të përcaktojnë njohjen e këtyre certifikatave, pa nevojën e përkthimit zyrtar.
Për letrën e plotë drejtuar zyrës së Kryeministrit, kliko këtu.
Angelo Haruni/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.