Industria gjermane në vrull – Porositë për “Made in Germany” rriten prej kërkesës nga jashtë

Porositë në fabrikat gjermane kanë rifilluar rritjen në muajin Gusht, në një nivel sipër projeksioneve prej kërkesës së fortë nga jashtë, gjë që tregon se fabrikat do të kontribuojnë në rritjen e ekonomisë më të madhe të Evropës.
Kompanitë industriale regjistruan një rritje me 3.6% të porosive, pas një rënieje të kontratave “Made in Germany” në Korrik me 0.4%, raporton ministria e Ekonomisë. Treguesi për Gushtin ishte më i forti që prej Dhjetorit të kaluar, dhe thyen lehtë projeksionet për 0.7% rritje.
Sipas të dhënave, kërkesa e brendshme pati një rritje me 2.7%, ndërsa porositë nga jashtë u rritën me 4.3%, nxitur nga klientët jashtë eurozonës. “Aktiviteti i fabrikave është përshpejtuar së fundmi dhe trendi pozitiv po nxitet nga humori i fortë i bizneseve”, deklaron ministria.
Sipas ekonomistëve, industria gjermane pritet ta mbyllë vitin në vrull, duke marrë parasysh edhe sondazhet pozitive nga bizneset. Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 0.7% për tremujorin e parë dhe 0.6% në të dytin, nxitur nga shpenzimet e ekonomive familjare dhe shtetërore si dhe investimet e bizneseve në ndërtesa dhe makineri.
Institucionet kryesore të vendit presin që ekonomia gjermane të rritet me 1.9% në 2017-ën dhe 2% në vitin që vjen.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.