Inflacioni bie përpara Brexit – Niveli më i ulët në 2 vite. Lehtësim për familjet britanike
Inflacioni në Britani ra në nivelin më të ulët në 2 vite gjatë Janarit, poshtë objektivit të Bankës së Anglisë, duke i dhënë pak lehtësi familjeve britanike përpara Brexit. Indeksi i çmimit të konsumit u ngadalësua në 1.8% në Janar, pas një rritjeje me 2.1% në Dhjetor, sipas të dhënave të zyrës së Statistikave në Londër. Konsumatorët britanik kanë ndjerë rritjen e çmimeve që prej referendumit për Brexit në vitin 2016, ndërkohë që paundi ra me më shumë se 10% kundër dollarit dhe euros. Inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 5 vite prej 3.1% në Nëntor 2017.
Megjithatë, pavarësisht rënies që prej fundit të 2017-ës dhe rritjes së pagave me ritmin më të shpejtë në një dekadë, bizneset kanë raportuar një ngadalësim të shpenzimeve konsumatore në muajt e fundit. Sipas sondazheve, familjet britanike janë shqetëuar për perspektivën e vitit 2019, ndërkohë që nuk është arritur ende një marrëveshje për Brexit përpara afatit të 29 Marsit.
“Inflacioni i ulët erdhi kryesisht prej rënies së çmimeve të gazit, energjisë elektrike dhe benzinës”, deklaroi zyra e Statistikave. Te prodhuesit, kosto e lëndëve të para u rrit me 2.9% në Janar, që ishte rritja më e ngadaltë që prej Qershorit 2016. Zyra e Statistikave publikoi edhe çmimet e shtëpive për muajin Dhjetor, ku ka patur një rritje me 2.5% në të gjithë Mbretërinë e bashkuar, që është rritja më e ngadaltë në 5 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.