Informaliteti në miniera – “Kompanitë nënkontraktore iu shmangen detyrimeve, s’paguajnë rentën”
Pavarësisht se shfrytëzojnë burimet natyrore, kompanitë nënkontraktore të minierave nuk paguajnë detyrimet në shtet për rentën minerare”. Problematika është ngritur gjatë një dëgjese mes përfaqësuesve të industrisë së prodhimit të mineralit të kromit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke nxjerrë në pah shmangien e taksave të një prej industrive më fitimprurëse në vend.
Takimi është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa kishte në fokus ndryshimet mbi paketën fiskale të vitit 2019. Por burime nga takimi thanë për SCAN se gjatë tij, diskutimi është fokusuar te kjo problematikë, duke qenë se më shumë se gjysma e minierave që janë dhënë me koncesion kanë lidhje nënkontraktore, të cilët nuk paguajnë detyrimet.
Të njëjtit burime thanë se renta minerare paguhet vetëm nga kompania mëmë, që ka lidhur kontratën koncesionare, ndërkohë që përfaqësuesit e qeverisë kanë kërkuar zbatimin e ligjit, duke paralajmëruar edhe ndryshime në këtë drejtim.
Paralelisht, në këtë sektor pritet të kenë ndryshime edhe në drejtim të masës së rentës minerare që paguhet aktualisht, duke qenë se është propozuar që propozon që përqindja e rentës minerare për mineralin e kromit për eksport të rritet nga 6 për qind, në 9 %. Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin ky ndryshim synon të dekurajojë eksportimin e këtij minerali për shkak të rezervave të tij, që nëse vazhdohet më këtë ritëm pritet të mbarojnë brenda 10 vitesh.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.