Inspektimet nëpër biznese, IQ: Analizat e mostrave, jo korrekte dhe pa etiketim
“Analizat e mostrave të marra gjatë procesit të inspektimit në biznese të ndryshëm nuk kryhen në mënyrë korrekte për çdo komponent dhe mungon etiketimi e emërtimi me kode, sipas fushës përkatëse të inspektimit”.
Shqetësimi ngrihet nga vetë Inspektorati Qendror, duke theksuar nevojën për marrjen e masave për standardizimin e procedurave dhe rritjen e përgjegjshmërisë së laboratorëve.
Për këtë arsye, ky institucion ka gati projektin e laboratorëve për marrjen e rezultateve të ekzaminimeve, gjatë procesit të inspektimit, i cili synon realizimin e analizave shkencore dhe të paanshme për ekstraktet apo kampionet që merren për analizim të produkteve e mallrave, që janë objekte te inspektimit.
Po ashtu, projekti synon liberalizimin e ofrimit të këtyre shërbimeve mbi kritere të qarta dhe procedura ligjore të mirë përcaktuara. Kjo masë, sipas Inspektoratit Qendror garanton një konkurrencë të ndershme ndërmjet bizneseve, ndërkohë që laboratorët e pavarur të akredituar, do të sigurojnë analiza të sakta dhe të pandikuara për produktet ushqimore e më gjerë.
Gjithashtu, synohet akreditimi i këtyre laboratorëve, pranë Agjencive të huaja homologe, çka sipas Inspektoratit do të ndihmojë edhe më shumë në rritjen e besimit të biznesit dhe të cilësisë së shërbimeve që ato ofrojnë për konsumatorin.
Pak ditë më parë, ky institucion prezantoi edhe draftin me ndryshimet ligjore në fushën e inspektimeve, sipas të cilave parashikohet ristrukturimi i numrit të inspektorateve shtetërore, fuqizimi i sistemit të karrierës në trupën e inspektorëve si dhe ndryshimin i mentalitetit të inspektimit nga një proces ndëshkues për biznesin, në një proces ndihmës dhe këshillues.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.