Interes për dy hidrocentrale në Kukës – 2 aplikime pranë MEI për HEC-et “Kalis” dhe “Zall-Kalis”
Janë dy aplikime që kanë ardhur pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë brenda pak ditësh, për të ndërtuar dy hidrocentrale në Kukës me kapacitet prodhues të përbashkët deri në 4 MW.
Një nga kërkesat vjen nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “EPF” dhe “AR-ZA”, për të ndërtuar HEC-in e “Kalisit” me kapacitet 2 MW, i cili gjendet në përroin e Pereshticës, një degë e lumit Drini i Zi.
Nga dy partnerët në këtë investim të propozuar, shoqëria “EPF” ka si aktivitet kryesor prodhimin dhe shitjen e energjisë, ndërsa aktiviteti i shoqërisë “AR-ZA” është i përqendruar në instalimin, mirëmbajtjen dhe projektimin e impianteve civile dhe industriale të llojeve të ndryshme.
Ndërsa kërkesa tjetër për ndërtimin e HEC-it “Zall Kalis”, po ashtu me kapacitet 2 MW, vjen nga shoqëria “EL –PROM”. Në aplikim kërkohet ndërtimi i këtij hidrocentrali mbi lumin e Veleshices, një degë e Lumit Drin pranë Fshatit Kalis, Kukës.
Edhe kjo shoqëri aplikuese ka eksperiencë në fushën e prodhimit, transmetimit dhe shitjes së energjisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.