Investime për turizmin – Qafështama, Gjermeni: Rrugë e re drejt Parkut Kombëtar

Së shpejti do të nisë puna për përmirësimin e transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse në rrugën Qafështame (Bashkia Krujë) – Burrel (Bashkia Mat), pjesë e Parkut Kombëtar të Qafështamës.
Kjo rrugë e ndërtuar që në vitet 1930 si pjesë e aksit Tiranë – Krujë – Burrel-Lis-Peshkopi është në gjendje tërësisht të amortizuar. Projekti i hartuar nga Agjencia e Zhvillimit të Rajoneve 2, me një vlerë investimi prej 30 milion lekësh parashikon rindërtimin e rrugës ekzistuese, duke e zgjeruar dhe me standarde , krahasuar me gjendjen ekzistuese si dhe evidentimin, restaurimin e pjesës së mbetur nga rruga e vjetër, duke i rikthyer vlerat historike monumentale.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë vizitës në Parkun e Qafështamës tha se investimi është një mundësi mjaft e mirë për zhvillimin ekonomik , social, kulturor dhe turistik të zonës.
“Përmes këtij projekti i hapet një rrugë e gjerë formave të ndryshme te zhvillimit turistik me karakter sportiv, alpin; zhvillimin bujqësor, te cilat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të zonës ku përfitues janë mbi 5120 banorë të fshatrave përreth, si dhe rreth 24 000 banorë të zonës së bashkive Krujë e Mat që lidh kjo rrugë. Këtë rrugë do ta bëjmë jo vetëm thjeshtësisht të aksesueshme por edhe piktoreske, me një mjedis piktoresk për të pushuar, për të shijuar dhe kënaqur me peizazhin e këndshëm me qëllim që të promovohet Parku Kombëtar i Qafështamës si një resurs kombëtar ende i pashfrytëzuar në maksimumin e potencialit të vet”, tha Ministrja Gjermeni.
Zona e Parkut të Qafështamës është e pasur me burime ujore. Uji është përdorur nga komunitetet lokale kryesisht si burim kryesor i ujit të pijshëm, si dhe të aktiviteteve të tjera ujitjes dhe rekreacionit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.