Investimet në sigurinë e digave – Pas kushteve të Bankës Botërore, i hapet rruga lëvrimit të kredisë 12 mln euro
Është publikuar në Fletoren Zyrtare marrëveshja ndryshuese për kredinë e sigurisë në diga mes BERZH dhe qeverisë shqiptare, duke i hapur rrugën disbursimit të kredisë së re prej 12 mln euro të Bankës Botërore. Kjo e fundit vendosi kushte ndaj qeverisë, duke kërkuar miratimin e një fondi shtesë që do të mbulonte të gjithë investimin e parashikuar. Ndërkohë që, këto para’ duket se do të sigurohen nga fondet e “kursyera” të kredisë së mëparshme, prej 12.7 mln euro.
Marrëveshja mes BERZH dhe qeverisë shqiptare u miratua në vitin 2012 dhe parashikonte përmirësimit të sigurisë së digës në hidrocentralin e Komanit, ndërkohë që ndonëse u realizua 100% e aktiviteteve të planifikuar, 6.1 mln euro kanë mbetur pa u përdorur. Janë pikërisht këto fonde, që do të bëhen pjesë e paketës mbështetëse për rehabilitimin e portave të shkarkimit dhe remontit që do të financohet nga Banka Botërore për HEC-et Fierzë dhe Koman.
Kjo paketë u miratua para pak javësh dhe përfshin një hua prej 12 milion eurosh, ndërsa parashikon rehabilitimin e agregatit nr.4 dhe 1 në HEC Koman si dhe rehabilitimin e portave të shkarkimit dhe remonteve në këtë hidrocentral dhe në atë të Fierzës. Disbursimi i kësaj kredie përbën një interes të veçantë, duke qenë se në portat e shkarkimit të hidrocentralit të Komanit nuk është investuar prej 40 vitesh, duke rrezikuar 250 mijë banorë të zonave përreth.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.