Investimet për hotele, zyra dhe ndërtesa tregtare në nivele rekord – Industria, përfituesi kryesor

Edhe pse numri i lejeve të ndërtimit pati një rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e kaluar, investimet në ndërtesa jo për banim vijojnë të jenë në nivele rekord.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, nga Tetori në Dhjetor u dhanë 92 leje për këto lloje ndërtimesh, të ndara në 23 leje për ndërtesa tregtare, 21 leje për ndërtesa industriale, 16 leje për hotele, 4 leje për zyra dhe 28 për ndërtesa të tjera.
Siç duket edhe nga grafiku i mëposhtëm, si numri i lejeve, ashtu edhe vlera e investimeve qëndron në shifra të larta dhe lihet në hije vetëm nga tremujori i dytë i vitit 2015, periudhë e cila përkon me fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale.

Interesi duket i fortë sidomos sa u takon hoteleve, për shkak se sektori i akomodimit ka përfituar nga disa lehtësi fiskale që favorizojnë investimet. Edhe pse me 4 leje më pak se periudha Korrik-Shtator, vlera e investimit për ndërtesa akomoduese është rritur në mbi 1 miliardë lekë.
Duke parë edhe sipërfaqen e rritur për këto ndërtime, mund të themi se bëhet fjalë për projekte më të mëdha e prestigjioze se tremujori i kaluar, apo çdo periudhë e mëparshme.
Por pavarësisht këtij interesi të rëndësishëm në sektorin e turizmit, qendra e vërtetë e investime duket se është industria. Në total janë 21 leje të dhëna për ndërtesa industriale, me një sipërfaqe të dyfishuar nga tremujori paraardhës.
Në rritje është edhe investimi për këto godina, duke kapur një vlerë prej mbi 1.1 miliardë lekësh. Nëse do të bënim një raport të numrit të lejeve me sipërfaqen e ndërtimit, 21 lejet e tremujorit të fundit të 2017 kanë një sipërfaqe mesatare prej 2,279 metrash katrorë, krahasuar me sipërfaqen mesatare prej 1,310 metrash katrorë për ndërtesë industriale në tremujorin paraardhës.
Sa u takon investimeve publike në infrastrukturë, tremujorin e kaluar u miratuan rreth 1 miliardë lekë investime në punime inxhinierike për ndërtime të reja, kryesisht në rrugë e autostrada, si dhe gati 1.5 miliardë lekë për rikonstruksione, kryesisht në linjat e ujësjellësve, linjat elektrike dhe të telekomunikacionit.
Angelo Haruni/SCAN
Lejet e ndërtimit Tetor- Dhjetor në rënie, por përbëjnë numrin më të madh në 4 vitet e fundit
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.