Investimet për sheshin Skëndërbej – 12 mln euro në total, 10 mln euro të investuara nga qeveria

Rreth 12 milionë euro është shuma e investuar për projektin e sheshit “Skënderbej”. Në një prononcim për SCAN, koordinatori i projektit Genti Agolli theksoi se sheshi ka pasur një kosto prej 10 milion euro të mbuluara nga qeveria, shumë e vënë në dispozicion nëpërmjet fondit rajonal të zhvillimit.
Bashkia e Tiranës ka investuar shumën prej 2 milion eurosh nga buxheti e cila është shpenzuar vetëm për parkingun nëntokësor.
“Investimi është rreth 10 mln euro për të dy pjesët. Ka përfunduar faza e parë e sheshit dhe është bërë diçka mbi 50% e fazës së dytë, si edhe ka përfunduar totalisht parkimi nëntokësor. Ka disa ditë që janë vënë në efikasitet si sheshi qendror, disa lulishte rreth e përqark sheshit dhe parkimi nëntokësor që ka dy ditë që është hapur për publikun. Parkimi nëntokësor është rreth 1,8 milionë euro”.
Me tej Agolli shtoi se është punuar për fazën e dytë të projektit dhe aktualisht është realizuar më shumë se 50% e saj. Kjo fazë përfshinë investimin në pjesën pas bustit të Skënderbeut. Sipas Agollit kjo zonë pritet të kthehet në pedonale me trafik të kufizuar.
“Do të bëhet edhe lulishtja tek biblioteka, midis xhamisë dhe bibliotekës. Do të restaurohet dhe rinkostrutohet gjithë ajo pjesa aty, që do të kthehet në lulishte. Do të bëhet edhe pjesa përpara Partisë Socialiste dhe Teatrit të Kukullave, pjesa midis ministrive dhe përpara Bashkisë dhe deri tek bulevardi tek Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave. Kjo e gjitha do të jetë pedonale dhe me trafik të kufizuar”.
Punimet në sheshin “Skënderbej” zgjatën gati 1 vit ku u punësuan 1000 persona.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.