Investimet te makinat elektrike – Gjermania pritet të shpenzojë 58 miliardë euro për konvertimin
Industria e makinave në Gjermani, po planifikon investime gjigante në konvertimin drejt makinave elektrike dhe autonome, sipas Shoqatës së Industrisë së Automjeteve VDA.
Në një deklaratë përpara hapjes së Shfaqjes së Makinave në Gjenevë, Bernhard Mattes, presidenti i shoqatës, tha se do të investohen më shumë se 40 miliardë euro në 3 vitet e ardhshme për makinat elektrike, ndërsa 18 miliardë të tjera pritet të alokohen për dixhitalizimin. Në të njëjtin interval kohor, prodhuesit gjermanë planifikojnë të trefishojnë numrin e modeleve elektrike dhe hibridë në mbi 100.
Grupi gjerman i interesit deklaroi se pa zëvendësuar motorët me djegie të brendshme, nuk do të arrihen objektivat e vitit 2030 për reduktimin e dioksidit të karbonit. Gjermania, së bashku me vende të tjera të mëdha të Bashkimit Europian, do të duhet të arrijnë një numër shumë më të madh të makinave elektrike në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, për të arritur këtë objektiv.
Shoqata bëri të ditur se zgjerimi gjigant i infrastrukturës së karikimit është gjithashtu i rëndësishëm, së bashku me incentivat për blerësit e makinave elektrike. Prodhimi i makinave në Gjermani pritet të bjerë ndjeshëm këtë vit, pjesërisht prej ngadalësimit të ekonomisë dhe tarifave amerikane ndaj prodhuesve të jashtëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.