Investimet tek Spitali i Traumës – Rama: Gati për t’u certifikuar nga BE
Pas dekadash pa investime, Spitali Universitar i Traumës më në fund ofron shërbim bashkëkohor dhe cilësor.
Gjatë vizitës në spitalin e Traumës, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vlerësuan investimin si një faqe e re për Spitalin e Traumës.
Kryeministri Rama u shpreh se ky investim e ka kthyer Spitalin e Traumës në një ndër spitalet më të mira në vend, si dhe shprehu ambicien për ta çuar këtë cilësi në shërbim dhe infrastrukturë në çdo spital rajonal.
“Para katër vitesh, ishte një spital lufte, se nuk ishte vënë më dorë. Sot është një gjë krejt tjetër dhe fakti që është i gatshëm për t’u akredituar e për t’u certifikuar me certifikatat e Bashkimit Europian, duke filluar nga gjithë instrumentet mjekësore, procesi i sterilizimit, plus dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit, është realisht një ëndërr që bëhet realitet. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ambicia është që të njëjtën cilësi ta çojmë në të gjithë spitalet rajonale të Shqipërisë. Ajo që është themelore është se investimet janë bërë e po bëhen me shumë vëmendje, për të mos harxhuar për gjëra të panevojshme, por për të filluar me më të nevojshmet, për t’i shkallëzuar deri tek plotësimi i të gjithë ciklit”, theksoi kryeministri.
“Spitali i Traumës, që prej ndërtimit të tij asnjëherë nuk është investuar. Janë dy investime radikale që janë kryer për ndryshimin e të gjithë shërbimeve, nga Urgjenca, Reanimacioni, shërbimet pritëse dhe pastaj është realizuar gjithë pajisja e plotë me aparaturat biomjekësore dhe pajisjet spitalore”, u shpreh ministrja Manastirliu.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.