iPhone 8 prezantohet në 12 Shtator – Apple konfirmon datën
Apple dërgoi ditën e sotme ftesat e evenimentit tradicional të Shtatorit i cili do të mbahet në datën 12 të këtij muaji.
Gjatë aktivitetit pritet prezantimi i iPhone të ardhshëm shoqëruar nga përditësime të Apple Watch, Apple TV dhe iOS.
Pas disa muajsh spekulime rreth tre modeleve iPhone, më 12 Shtator Apple do ti japë fund kësaj sage. Raporti më i fundit që vjen nga Bloomberg flet për një ekran OLED, kamera 3D që skanon fytyrën dhe eliminimin e butonit të vetëm fizik të iPhone, raporton PcWorld.
Krahas iPhone 7S dhe 7S Plus, kompania do të prezantojë një iPhone me ekran pa skaje i cili quhet iPhone 8.
Gjithashtu sipas disa raportimeve të tjera ora inteligjente e re e Apple tashmë do të funksionojë pa pasur nevojë për iPhone.
Vetë ftesa për në aktivitetin e 12 Shtatorit nuk zbulon shumë detaje. Thjeshtë shkruan “Le të takohemi në vendin tonë.” Aktiviteti mbahet në teatrin Steve Jobs në kampusin e ri të Apple.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.