Italia nis programin e mirëqenies – 780 euro në muaj dhe karta për të paguar ushqimet
Italianët kanë nisur këtë javë të aplikojnë për subvencionet e reja në mirëqenie të Qeverisë, që janë projektuar për të nxitur ekonominë.
Programi “të ardhurat e qytetarëve”, ishte premtimi kryesor elektoral i lëvizjes 5-yjet, që formoi koalicion me partinë kundër emigrimit Liga. Programi, që është në thelb një sistem i ri i mirëqenies dhe përfitimeve të papunësisë, i ofron pjesëmarrësve 780 euro çdo muaj si dhe karta të parapaguara të debitit për të paguar për ushqimet, barnat, qiratë dhe faturat e energjisë.
Në këmbim, pjesëmarrësit e aftë, bëhen pjesë në një program të gjetjes së vendeve të punës dhe trajnimeve. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, parashikoi se kjo skemë do të sjellë një nxitje të madhe të ekonomisë dhe kërkesës së brendshme. Italia, që është ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës, ka normën e papunësisë të 3-të më të madhe në Bashkimin Europian, në 10.5%. Pjesëmarrësit në program duhet të jenë qytetarë italian ose europian, apo banorë të ligjshëm që kanë jetuar prej të paktën 10 vite në Itali, me të ardhura familjare vjetore prej më pak se 9,360 euro.
Pjesëmarrësit nuk duhet të zotërojnë shtëpi të dyta që vlejnë më shumë se 30,000 euro, apo të kenë blerë makinë në 6 muajt e fundit. Programi pritet të kushtojë 7.1 miliardë euro këtë vit, 7.8 miliardë euro në vitin 2020 dhe 8 miliardë pas dy vitesh. Kjo iniciativë shkaktojë përplasje me BE vitin e kaluar dhe solli negociata për buxhetin mes Romës dhe Brukselit.
Europa shqetësohet se borxhi gjigant i Italisë do të rritet më tej. Zv/Kryeministri Luigi Di Maio, që është lideri i partisë 5-yjet, theksoi nevojën për t’i dhënë nxitje ekonomisë dhe krijuar vende të punës. Ai tha se nëpërmjet programit të të ardhurave për qytetarët, ka nisur një revolucion për 5 milionë njerëz.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.