Ja si do të dukej toka nëse domainet e shteteve do të përcaktonin madhësinë
Kjo hartë nuk e tregon botën ashtu siç është, por e tregon atë bazuar në numrin e portaleve të regjistruara në secilin domain të shteteve përkatëse. Kështu, Gjermania ka 16 milionë uebsajte të regjistruara me prapashtesën .de, ndërsa Rusia ka vetëm 5 milionë portale që mbarojnë me .ru. Atëherë Gjermania në hartë paraqitet shumë më e madhe se sa Rusia.
Harta është krijuar nga Nominet, kompania e cila është përgjegjëse për infrastrukturën e internetit të domaineve .uk dhe koincidon me mbledhjen e 55-të të komunitetit botëror të emrave të domaineve.
Krahas shteteve deformimet janë të dukshme edhe në madhësinë e kontinenteve, ku Europa shfaqet si më i madhi, ndërsa Afrika është mikroskopike. E zvogëluar paraqitet edhe Amerika Veriore, e cila preferon domainet .com, në vend të atyre .us ose .ca, e rrjedhimisht ka një numër të ulët regjistrimesh.
Kina dhe Gjermania me 16.8 dhe 16 milionë regjistrime secila janë më të mëdhatë, por pas një ishulli shumë të vogël të Paqësorit, Tokelaut. Me një popullsi prej vetëm 1400 banorësh, Tokelau shfaqet si një gjigand internetit pasi ndjek një politikë shumë të veçantë, ku domainet .tk mund të regjistrohen falas.
Në hartë shfaqet edhe Shqipëria, me prapashtesën .al dhe me vetëm 16,923 regjistrime, më pak se vende si Luksemburgu apo Lihtenshtajni.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.