“Jo më kritere përjashtuese në skemë” – Sa do të rritet pagesa e ndihmës ekonomike? Ja si do të shmangen procedurat e gjata dhe abuzimet

Jo më kritere përjashtuese në skemën e ndihmës ekonomike që prej janarit të vitit 2018, ndërkohë që kjo pagesë do të ritet deri në 8000 lekë. Gjithashtu, me krijimin e regjistrit elektronik kombëtar dhe verifikimit automatik me institucionet do të shmangen procedurat e gjata për aplikim dhe do të eliminohen abuzimet me këtë skemë.
Kështu është shprehur ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një familje që trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike në Llakatund të Vlorës.
“Skema e re e ndihmës ekonomike e cila do të shtrihet në Shqipëri në Janar të vitit 2018, nuk do të ketë më kritere përjashtuese për familjet në nevojë, duke targetuar familjet më në nevojë. Kjo skemë do të rrisë pagesat e ndihmës ekonomike – deri në 8000 lekë – dhe falë krijimit të regjistrit elektronik kombëtar dhe verifikimit automatik me institucionet do të shmangë procedurat e gjata për aplikim dhe do të eliminojë abuzimet me këtë skemë”.
Ministrja Manastirliu vizitoi gjithashtu Qendrën Shëndetësore të Shushicës në Llakatund e cila është rikonstruktuar tërësisht, duke u shndërruar nga një ngrehinë e shkatërruar në një qendër model të kujdesit parësor.
Qendra Shëndetësore Shushicë i shërben 9800 banorëve të kësaj zone dhe është rikonstruktuar me një vlerë prej 12 milion lekë, ku përfshihet rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit, rrjetit elektrik dhe rehabilitimi i ambienteve ndihmëse.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.