Kadastra digjitale, nënshkruhet marrëveshja me Japoninë. Rama: Shqipëria ka përfituar 200 mln euro

Qeveria shqiptare ka nënshkruar me Japoninë një marrëveshje për kadastrën digjitale. Të gjitha ndërtesat në territorin e Shqipërisë do të dokumentohen me koordinata të sakta në këtë kadastër. E cila do të shërbej për pronën, infrastrukturën mbitokësore e nëntokësore, taksat kombëtare e detyrimet bashkiake, zonat e mbrojtura, monumentet e kulturës e me radhë.
Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se “ky projekt na jep mundësinë të vendosim një kufi ndarës në çerek shekulli ngatërresa dhe konflikte në gjithë fushën e të drejtave të pronës që kanë ardhur edhe si rezultat i mungesës së informacionit të besueshëm”.
Rama e konsideroi Japoninë si një partner të besueshëm.
“Që prej vitit 1930 kur është nënshkruar edhe traktati i parë për tregti mes Shqipërisë dhe Japonisë, qeveria japoneze ka qenë gjatë gjithë periudhave kur ka pasur mundësinë, një partner i besueshëm. Shqipëria ka përfituar 200 milionë euro dhe e rendit Japoninë në vendet kryesore që kanë ndihmuar drejtpërdrejt vendin tonë pas rënies së regjimit komunist. Ky është një projekt fantastik, sepse është një projekt që na jep mundësinë të vendosim një kufi ndarës në çerek shekulli ngatërresa dhe konflikte në gjithë fushën e të drejtave të pronës që kanë ardhur edhe si rezultat i mungesës së informacionit të besueshëm”.
Përfaqësuesi i Japonisë tha se do të angazhohen edhe në projekte të tjera në vendin tonë.
“Do të ofrojmë këshillim për përdorim të gjerë të hartave gjeohapësinore. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare ne do të angazhohemi në shumë projekte, si në mbrojtjen e mjedisit, në nxitjen e turizmit, sektorit privat dhe shumë fusha të tjera”.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.