Kanceri i gjirit, mamografi falas – Ekzaminimi me masa anticovid, Manastriliu, apel grave: Kontrollohuni!
Ekzaminimi me mamografi do të jetë falas përgjatë muajit tetor për të gjitha gratë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nisma vjen në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ndërkohë që kabinetet e mamografisë do të punojnë me oraret të zgjatura. Ndërkaq, ministrja e Shëndetësisë, Ogerat Manastriliu u bëri apel grave të kryejnë kontrollin e gjirit.
“Përgjatë gjithë muajit, në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet me orar të zgjatur, nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00. Merr pak kohë nga koha jote për të kryer kontrollin e gjirit. Diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën”.
Mamagrafia falas mund të kryhet në spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, Lezhës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçē, Shkodër, ndërsa në Tiranë kryhet në QSUT, në Maternitetin ‘Mbreteresha Geraldinë’ dhe në Poliklinikën Qendrore Tiranë. Gjithashtu janë në dispozicion edhe dy mamografitë e lëvizshme, të cilat do të jenë gjatë gjithë muajit në zonat rurale dhe urbane në të gjithë vendin, sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërkaq, me një urdhër të firmosur nga Manastirliu, institucionet përkatëse kanë marrë masat për organizimin e fushatës në zbatim të rregullave anti covid. Për të evituar rrezikun e infektimit nga Covid-19, personeli që shërben brenda njësisë lëvizëse të mamografisë, do të jetë i pajisur me mjete mbrojtëse, ndërsa me qëllim evitimin e grumbullimeve të personave që janë planifikuar për t’u ekzaminuar do të përcaktohen orare për paraqitjen e pacientëve të cilët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.