Kapitali i shqiptarëve është premtues, Banka Botërore: Bashkë me serbët kanë potencialin më të lartë në rajon
Indeksi i kapitalit njerëzor është indikatori më i ri i Bankës Botërore për të matur produktivitetin e gjeneratës së re të punëtorëve, bazuar në vetëm dy kritere; shkallën e shëndetit dhe atë të arsimit.
Të dhënat janë pjesë e raporti botëror të zhvillimit 2019, që mban titullin; ndryshimi i natyrës së punës. Indeksi për Shqipërinë fiksohet në 0.62 pikë, duke e renditur në vendin e 56-të në botë, ndër 157 ekonomi të globit.
Pikëzimi maksimal fiksohet në 1 dhe tregon se shoqëria ka marrë maksimumin e potencialit nga shkollimi dhe shëndetësia. Në këtë drejtim, Shqipëria është vendi i dytë me performancën më të mirë në rajon, duke u renditur pas Serbisë, që renditet e 27-ta në botë.
Të dhënat e Bankës Botërore përkthehen në një të ardhme me më shumë ngjyra për shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi sinjalizojnë një potencial më të madh për t`u shfrytëzuar, rrjedhojë e investimit të tanishëm, në dy drejtimet kyçe; shëndetin dhe arsimin. Janë këto dy shtyllat kryesore që sipas Bankës Botërore ndërtojnë kapitalin njerëzor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.