Bursat, pranë “korrigjimit” – Tregjet globalë ndjekin Wall Street, Trump fajëson Rezervën Federale

Rënia e frikshme e tregut të aksioneve në Shtetet e Bashkuara ka bërë investitorët të dyshojnë për një “korrigjim”.
Ndërkohë që investitorët shqetësohen nga rritja e interesave të Thesarit në SHBA dhe lufta tregtare me Kinën, indeksi S&P 500 ra me 3.29% ditën e Mërkurë, që është performanca më e keqe ditore që prej muajit Shkurt.
Investitorët e përshkruajnë korrigjimin në treg si një rënie me 10% nga niveli më i lartë, zakonisht prej fryrjes së tepërt të çmimit të aktiveve. Shqetësimet për korrigjim, sollën rënien e sektorit të teknologjisë të S&P 500 me 4.77%, që është rënia më e madhe ditore që prej vitit 2011.
Presidenti Donald Trump fajësoi Rezervën Federale, që sipas tij, po mbireagon me rritjen e normave të interesit.
“Është një korrigjim që e kemi pritur për një kohë të gjatë, por unë nuk jam fare dakord me veprimet e Rezervës Federale”, tha Trump.
Indeksi Dow Jones humbi 831 pikë, me Intel dhe Microsoft që patën performancën më të keqe, ndërsa Nasdaq, ra me 4%. Por, trazirat nuk përfunduan këtu, pasi Azia dhe Europa ndoqën me rënie akoma më të madhe.
Indeksi i Shangait në Kinë, ra me 5.22%, në performancën më të keqe që prej Shkurtit 2016. Tajvani pati rënien më të madhe, me indeksin Taiex, ku listohen furnitorë të Apple, që humbi 6.31%.
Në Europë, tregtia nisi gjithashtu në rënie ditën e Enjte, me thuajse të gjithë indekset kryesorë të rajonit që u hapën në të kuqe. Të gjithë indekset patën rënie me më shumë se 1%, ndërsa FTSE 100, tregoi humbjen më të madhe me 1.7%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.