Këmbimi valutor, euro ende nën 132 lekë – Dollari vazhdon pikiatën në tregun vendas
Java në tregun vendas të këmbimit valutor është hapur me një forcim të lehtë të valutave kryesore kundrejt lekut. Me përjashtim të dollarit amerikan, valutat e tjera ia kanë dalë të ruajnë pozitat e tyre ose të fitojnë pikë minimale në kursin e këmbimit.
Euro është forcuar me 0.1 pikë kundrejt lekut në raport me vlerat e ditës së premte, por vazhdon të qëndrojë nën nivelin e 132 lekëve. Ky nivel i takon vlerës së monedhës së përbashkët europiane para vitit 2009 dhe tashmë është e qartë se një ndikim në këtë rënie drastike ka patur edhe politika e shpallur e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin.
Në nivele të ulëta historike qëndron edhe dollari amerikan, i cili ditën e hënë ka rënë më tej me 0.3 pikë ndaj monedhës vendase. Ndryshe nga rasti i euros, për dollarin ky është një reflektim i situatës jo të mirë në tregjet ndërkombëtare. Luhatje vjen si moment kujdesi nga investitorët, përpara dëshmisë së parë në Kongres, të kreut të ri të Rezervave Federale, Jerome Powell.
Ndryshimi më i madh nga java në javë vihet re tek paundi britanik, i cili ka shtuar plot 0.8 pikë ndaj lekut në raport me ditën e premte. E fiksuar në 150 lekë, stërlina ka rezultuar si monedha më e qëndrueshme nga treshja kryesore dhe pavarësisht luhatjeve mban pothuajse të njëjtin nivel prej 6 muajsh.
Në forcim ditën e sotme janë edhe dollari australian dhe dollari kanadez me përkatësisht 0.5 dhe 0.2 pikë ndaj lekut. Ndërkohë, franga zvicerane qëndron në nivelin e të premtes në 114.2 lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.