Rritja e turizmit të brendshëm – Mehmeti: Shqipëria ka kapacitetet për zhvillimin e sektorit

Turizmi në Shqipëri po rezulton sektori me të ardhurat më pozitive në raport me tregjet e tjera. Por ajo që vihet re është edhe mundësia për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të brendshëm. Presidenti i shoqatës Shqiptare të Turizmit, Enver Mehmeti, shprehet për televizionin SCAN se Shqipëria i ka kapacitetet për zhvillimin e këtij lloj turizmi.
“Ne sot kemi resorte, kemi dhe mundësi që turisti shqiptar realisht të pushojë qoftë dhe në Shqipëri, mjafton të besohet kjo, të provohet, dhe unë mendojë që dalëngadalë po vjen kjo klimë. Realisht shoh shenjat e para në një treg të operatorëve vendas që shesin, qoftë dhe lirë, që nga Valbona deri në Sarandë. Kjo është një shenjë shumë pozitive, pasi e para është rritja jo e ndjenjave ekstreme nacionaliste, por e dashurisë për ato vlera që ne kemi , pasi deri më sot kemi kontradiktuar shumë që a mund të pushosh apo jo në Shqipëri. Unë besoj se shumë shpejt do të vijë koha për pushuesit shqiptarë të pushojnë në Shqipëri”, thotë Mehmeti.
Sa i takon rëndësisë së bashkërendimit të politikave qendrore me sektorin e biznesit privat, Mehmeti thekson se kjo do rriste efektin pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm në sektorin e turizmit.
“Asnjë investitor, asnjë biznes nuk është i mundur të ecë nëse politika qendrore, nëse shteti nuk është i vëmendshëm. Unë jam i bindur që po kaq shteti ka shumë nevojë, që të ketë biznese dhe ekonomi të qëndrueshme, sepse kjo është në të mirë të shtetit. Pa bashkërenduar politikat me sektorin e biznesit privat, unë mendoj që nuk ka zgjidhje”, tha Presidenti i shoqatës Shqiptare të Turizmit.
Shqipëria ofron 7 lloje të turizmit, ku dy më të preferuarit nga turistët mbeten ai bregdetar dhe malor.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.