Klosi: Taksim i ri për këto pika të agroturizmit
Një nga zonat më të preferuara për turistët vijon të jetë parku natyror Korab-Koritnik në Kukës, i cili ka një sipërfaqe prej 34 mijë e 800 hektarësh.
Shifrat tregojnë se deri në tetor 23 mijë turistë kanë vizituar bukuritë e zonës dhe kanë shëtitur shtegun në këmbë. Megjithëse shifrat janë optimiste, ministri Klosi, i cili e vizitoi parkun natyror, gjatë vizitës 2 ditore të qeverisë në Kukës, tha se numri i shtuar vizitorëve nuk mjaftonte. Duke iu rikthyer planit të 365 masave për turizmin e vitit 2019, Klosi theksoi se masa e radhës është krijimi i bujtinave, shtëpive të pritjes dhe krijimi i pikave të informacionit (info point), që do të udhëheqin guidat në mënyrë më profesionale në zonat e mbrojtura.
“Shtegu është i bukur se e ka bërë natyra, shtegu është i bukur dhe interesant sepse nuk është i dëmtuar nga dora e njerëzve, por shtegu nuk mund të jetë ekonomi dhënës nëse nuk do të kemi kombinim perfekt nëpërmjet ekonomizimit të gjithë shëtitjes në këtë shteg dhe përfitimit që do të kenë banorët e zonës. Në kuadër të politikave të agro-turizmit dhe 100 fshatrave ne po zbatojmë ngritjen e disa guest house-ve apo pikave mikpritëse gjatë gjithë shtegut, por kjo nuk mjafton” – tha ministri Klosi.
Klosi tha se qeveria është e angazhuar që të ofrojë politika lehtësuese në ndihmë të atyre që do ti shërbejnë këtij lloj turizmi.
“Së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, për pikat e agroturizmit, që ofrojnë kapacitet akomodues por dhe që kanë kapacitete të tjera për të afruar turistët ne mundësojmë një taksim të ri, që shkon në 5% të tatim fitimit për këto pika të agroturizmit dhe po ashtu 6% TVSH për realizimin e gjithë shërbimeve brenda tyre” – tha ministri Klosi.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.