Kodheli pret Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë: Mundësi bashkëpunimi dhe shfrytëzim i potencialeve që ekzistojnë në fusha të ndryshme
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme Mimi Kodheli, priti në selinë e Kuvendit të Shqipërisë Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Sh. T. Volodymyr Shkurov.
Kodheli gjatw takimit vlerësoi hapjen e Ambasadës në Tiranë si një hap drejt promovimit të marrëdhënieve midis dy vendeve sikurse dhe të njohjes më të mirë e të ndërsjellë të historisë e kulturës së dy popujve. Kodheli tha se Shqipëria është ndër vendet e para që dënoi ashpër aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia dhe shprehu solidaritetin me Ukrainën.
“Ndërkohë ne vazhdojmë të presim nga Ukraina një ndryshim të qëndrimit përsa i përket pavarësisë së Kosovës, çka është një rast sui generis dhe krejt i ndryshëm nga ai i Krimesë,” tha ajo.
Ambasadori Shkurov shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe në këtë kuadër ai falënderoi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Takimin e Nivelit të Lartë Inaugurues të Platformës për Krimenë, kontributin e dhënë gjatë Kryesisë shqiptare të OSBE-së si dhe për mbështetjen në kuadrin e OKB.
Përsa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, Ambasadori Shkurov u shpreh se, për shkak të rastit të Krimesë, në Ukrainë ka një ndjeshmëri të madhe që e bën të vështirë ndërmarrjen e një hapi të tillë.
Më tej Kodheli dhe Ambasadori ukrainas diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe nevojën e shfrytëzimit të potencialeve që ekzistojnë në fusha të ndryshme, si në ato të ekonomisë dhe tregtisë ashtu dhe në ato të kulturës, sportit etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.