Kodi i ri Doganor/ Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, sesion informues me bizneset për procedurat
Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, organizoi një sesion të përbashkët informues mbi dispozitat e reja të Kodit Doganor.
Përgjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave informuan mbi zhvillimet më të fundit ligjore të përcjella nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor. “Ky takim mundësoi një dialog midis institucioneve qeveritare dhe biznesit për tu njohur më nga afër me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për tu përcjellë problematika e deritanishme. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sqaruan se Kodi i ri Doganor përafron më tej procedurat doganore evropiane”, thuhet në njoftimin e MZHETTS.
Gjithashtu, u sqaruan disa koncepte si Operatori Ekonomik i Autorizuar, procedurat e zhdoganimit lokal, deklarimi i thjeshtuar, trajtimi tarifor favorizues, magazinimi doganor dhe ai i përkohshëm etj.
Përgjatë takimit u ngrit shqetësimi se biznesi nuk ka kapacitete të ndjekë zhvillimet e vazhdueshme të legjislacionit doganor.
“Për këtë qëllim do të përgatitet një kalendar sesionesh informuese mbi procedurat e Kodit të ri Doganor, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencive Doganore dhe biznesit, sipas nevojave të tyre. Takime të tilla do të zhvillohen në muajt në vijim”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.