Kombi me tkurrjen më të shpejtë të popullsisë në Europë sheh rrezen e parë të shpresës
Për herë të parë në historinë e saj moderne, Lituania regjistroi një numër më të madh imigrantësh që vijnë në vend, se sa emigrantësh që zhvendosen jashtë vendit. Mund të ndodhë që të jetë thjesht një devijim nga trendi që ka ndjekur prej vitesh, por për kombin me tkurrjen më të shpejtë të popullsisë në Europë kjo është një arritje.
Në muajin Maj, numri i shtetasve të huaj që zhvendosen në Lituani, përgjithësisht nga Ukraina dhe Bjellorusia, ishte më i madh se numri i lituanezëve që u larguan. Deri më tani, hyrjet neto kishin qenë shumë të vogla pas largimit të gati çerekut të popullsisë që prej vitit 1990.
Lituanezët janë joshur prej kohësh nga pagat në shtetet e tjera më të pasura në kontinent. Madje as Brexit nuk e zbehu tërheqjen që ofron Mbretëria e Bashkuar.
Disa prej emigrantëve të larguar janë kthyer me aftësi të reja, por deri më tani këto numra nuk kishin qenë të mjaftueshëm për të ndalur valën e eksodit.
Për Lituaninë, ky deficit i vazhdueshëm në lëvizjet e popullsisë mund të kthehej në një problem shumë të madh. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, një popullsi në tkurrje rrezikonte të ulte rritjen ekonomike në vetëm 2% në terma afatgjatë, një zhvillim ekonomik shumë i ngadaltë që nuk bind mjaftueshëm njerëzit për të qëndruar në vendin e tyre.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.