Kompensimi i pronave 2018-2020 – Zbardhen fondet, 136 milionë dollarë në 3 vitet e ardhshëm

Gjatë tre viteve të ardhshëm, për kompensimin financiar të pronarëve nga buxheti i shtetit do të përdoren 136 milionë dollarë. TV SCAN ka zbardhur parashikimet buxhetore afatmesme të Qeverisë për periudhën 2018-2020.
Në Buxhetin e sapomiratuar të vitit 2018, Këshilli i Ministrave ka parashikuar fondin prej rreth 34 milionë dollarësh. Fond që do të shënojë një rritje të dukshme në vitin 2019, i cili përkon edhe me zgjedhjet lokale.
Për këtë vit, Qeveria do të vërë në dispozicion të kompensimit të pronarëve rreth 49 milionë dollarë. Rritja do të jetë më modeste për në vitin 2010, kur janë parashikuar për këtë qëllim 53 milionë dollarë.
Kompensimi financiar i pronarëve është kthyer në temë debati pas ndryshimeve që bëri Qeveria në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës. Ndryshimet përcaktojnë që vlera e kompensimit financiar të mos jetë më e lartë se 20% e totalit dhe jo më shumë se 10 milionë lekë. Pjesa tjetër prej 80% do të kompensohet me fondin e tokës bujqësore që është kaluar për këtë qëllim në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.
L.R./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.