Koncesionet e bashkive – ATRAKO nis trajnimet me vendorët për mundësi potenciale
Koncesionet dhe partneritetet publike private kanë qenë kontrata që i kemi parë me shumicë sidomos viteve të fundit në një seri sektorësh nga shëndetësia tek infrastruktura apo energjetika.
Por duket se tashmë edhe pushteti vendor mund të fillojë aplikimin e këtyre kontratave për shërbime apo projekte të ndryshme dhe për këtë duket se lind nevoja e trajnimit të stafit.
Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve ka një seri trajnimesh në bashki të ndryshme të vendit të cilat do të vijojnë në Berat, Shkodër, Kukës dhe Lezhë gjatë muajit qershor.
“Në situatën e re të reformës territoriale, ku njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë më shumë funksione dhe kompetenca, workshopi ka qëllim të njohë administratën vendore me format e ndryshme të kontratave të partneritetit publik privat, dhe me procedurat ligjore të cilat duhen ndërmarrë për të dhënë me koncesion/PPP për një shërbim apo punë publike. Njëkohësisht është e nevojshme të diskutohet me përfaqësuesit e administratës vendore në lidhje me projekt ide që ato kanë identifikuar si projekte të mundshme për realizmin e punëve apo shërbimeve publike me koncesion apo PPP”, thuhet në njoftimin e ATRAKO.
Agjencia nga ana e saj ka qenë aktive edhe me trajnime edhe me Dhomat e Tregtisë apo universitete.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.