Konfirmohet/Sezoni veror, fluturime direkte drejt Tiranës nga Stokholm, Oslo, Helsinki dhe Kopenhagen

Shqipëria pritet të jetë këtë vit një sukses edhe më i madh për tregun nordik të pushimeve. Këtë shpresojnë operatorët turistikë të vendeve skandinave, të cilët së fundmi kanë konfirmuar angazhimin e tyre për destinacionin mesdhetar.
Një delegacion shqiptar me në krye Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Suedi, u prit nga drejtuesit e “Apollo”, liderit të rajonit me milionë udhëtarë në vit.
“Ne shohim mundësi të jashtëzakonshme me Shqipërinë në të ardhmen. Duke ndjekur suksesin e Sarandës në jug të Shqipërisë, ne po fokusohemi më tej këtë verë në turin e ri në Durrës. Fluturime direkte nga Stokholmi, Oslo, Helsinki dhe Kopenhagen do të shkojnë drejt Tiranës, kryeqytetit shumëngjyrësh të Shqipërisë gjatë sezonit veror. Nuk ka asnjë dyshim që do të jetë një vend i preferuar për pushime”, tha Leif Vase Larsen, drejtori ekzekutiv i kompanisë.
Për të ofruar fluturimet, kompania ka krijuar lidhje edhe me kompaninë ajrore baltike, “Small Planet Airlines”. Në katalogun e tur operatorit janë shtuar këtë vit edhe 7 hotele të reja në Shqipëri.
Parashikimi i “Apollo“-s, është që vitin e ardhshëm Shqipëria të hyjë tek grupi i katër më të kërkuarave, bashkë me Greqinë, Kroacinë dhe Spanjën. Në të njëjtën linjë është edhe revista më e madhe suedeze e turizmit, “Vagabond”, e cila e vlerëson vendin tonë në krye të listës së udhëtimeve për vitin 2018.
Në fund të vitit 2016, vizitorët nga Europa Veriore ishin gati 150 mijë individë, shifër e cila në fund të 2017 mund të shënojë rritje pranë 50%, ose rreth 220 mijë turistë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.