Kongresi miraton “aktin e heronjve” – Demokratët votojnë për paketën $3 trilion. Republikanët: paketë socialiste, nuk e votojmë
Kongresi, dhoma e ulët e Parlamentit amerikan, e kontrolluar nga demokratët, kaloi paketën prej 3 trilionë dollarësh ndihmë për ekonominë dhe biznesin, të kundërshtuar fuqimisht nga Presidenti Trump. Paketa u votua me 208 vota kundër 199. Republikanët që kontrollojnë senatin ndërkohë janë shprehur se nuk do ta votojnë, pavarësisht disa zërave pro brenda tyre. Donald Trump ndërkohë ka premtuar veton në rast se paketa do të mbërrijë në tavolinën e tij.
“Akti i heronjve”, siç quhet gjerësisht kjo paketë, përmban 1800 faqe dhe parashikon ndihmë dhe asistencë për ekonominë në thuajse çdo cep të saj. Përfshin edhe një paketë ndihme prej 500 miliardë dollarësh për shtetet federale si dhe një tjetër raund pagesash direkte ndaj qytetarëve, pagesë shtesë për punonjësit në sektorin shëndetësor si dhe të tjerë të cilët janë në vijë të parë të kësaj pandemie.
Republikanët ndërkohë e konsiderojnë paketën një dhuratë socialiste dhe akuzojnë Kinën për vuajtjet e shkaktuara nga pandemia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës numërojnë thuajse 1.5 milionë raste dhe thuajse 85 mijë viktima nga virusi deri më tani, ndërkohë që ekonomia në vend vijon të jetë e bllokuar në masë. Kjo paketë do të ishte e 5-ta në radhë që prej shpërthimit të epidemisë në vend dhe mbylljes së ekonomisë. Për republikanët ndërkohë, kjo vlerësohet më shumë si një paketë sociale sesa një paketë që do të ringrinte ekonominë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.