Konsultimet me qytetarët, Veliaj memorandum me KiE dhe Ambasadën e Zvicrës
Mbështetja dhe forcimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrjen e strukturave të qeverisjes vendore është konkretizuar me një memorandum të posaçëm të nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës, Këshilli i Evropës dhe Ambasada Zviceriane.
Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi se ekspertiza e këtyre institucioneve, do t’i shërbejë Bashkisë së Tiranës për të zhvilluar edhe më tej vendimmarrjen nëpërmjet përfshirjes së qytetarëve, duke e kthyer në një standard të përhershëm.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Claus Neukirch theksoi se demokracia e drejtpërdrejtë brenda një kuadri të përcaktuar mirë do të sjellë një terren të ri për autoritetet vendore, që të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në vendim-marrje.
“Do të doja të theksoja tre elementë që i konsideroj shumë të rëndësishëm në demokraci sepse demokracia nënkupton pushtetin e njerëzve. Elementi i parë është konsultimi: unë shikoj që ju në Tiranë bëni konsultime, pyesni njerëzit që të shprehen për atë që kanë nevojë sepse e di që juve ju intereson ajo që thonë njerëzit që ju rrethojnë, prandaj konsultimi është i rëndësishëm. Elementi i dytë është që qytetarët të marrin përgjegjësi: Ata nuk duhet të interesohen vetëm për kopshtin e tyre, për shtëpinë e tyre, por ata duhet gjithashtu duhet të shikojnë përtej gardhit dhe duhet të marrin përgjegjësi, të inkurajohen për të mirën e përbashkët të qytetit sepse Tirana është qyteti i tyre. Elementi i tretë është aksesi në informacion: është përgjegjësi e autoriteteve që të shpërndajnë informacion për gjithçka ndodh në qytet.”.
Ndërsa, ambasadori zvicerian, Christoph Graf, u shpreh se kjo marrëveshje do të rrisë edhe më tej mundësinë e demokracisë së drejtpërdrejtë. Bazuar në këtë memorandum, stafi i bashkisë do të trajnohet mbi konceptin dhe praktikat e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila është një karakteristikë e veçantë e sistemit politik zviceran dhe i lejon qytetarët të ndikojnë aktivisht mbi vendimet dhe politikat.
Elisabeta Dosku/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.