Kontrolli i korrupsionit, hapa pas – Banka Botërore: Shqipëria përkeqësohet ndjeshëm, pranë nivelit të vitit 2014

Kontrolli i Korrupsionit dhe stabiliteti politik në vend tonë janë indikatorë që janë përkeqësuar gjatë vitit të fundit, thotë Banka Botërore në përditësimin më të fundit të indikatorëve të qeverisjes. Në total, këta indikatorë janë 6, dhe përfshijnë edhe sundimin e ligjit, apo efektivitetin e qeverisjes.
Indikatorët e qeverisjes së Bankës Botërore janë një matës mjaft i mirë i performancës së një shteti në disa prej aspekteve strategjikë. Kështu, rezulton se, një prej indikatorëve më të rëndësishëm, ai i kontrollit të korrupsionit në vendin tonë është përkeqësuar në vitin 2018. Tashmë ky indikator fiksohet në vetëm 35% pikëzim, nga 42% të vitit të kaluar, që është edhe performance më e dobët që prej vitit 2014. Përkeqësimi i vendit tonë në këtë indikator është aq i ndjeshëm, sa në rajon kemi zbritur në vendin e parafundit, vetëm me Bosnje Hercegovinën më keq se ne. Kosova është vendi që na ka “parakaluar”, duke regjistruar një rezultat bindshëm më të mirë.
Në drejtim të sundimit të ligjit ndërkohë, vendi ynë ka bërë një progres të lehtë, por pavarësisht kësaj, ka zbritur në vend të fundit në rajon, me Kosovën që sërish i ka “rrëmbyer” një vend. Në drejtim të efektshmërisë së qeverisjes, Shqipëria ka bërë progres, dhe lë pas në renditje, Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Përkeqësim ka, krahasuar me një vit më pare, në drejtim të stabilitetit politik dhe terrorizmit. Por, pavarësisht kësaj, Shqipëria rezulton të jetë vendi me performancën më të mirë në rajon. E njëjta gjë vlen edhe për lirinë e qytetarëve për të zgjedhur qeverinë e tyre, apo për të folur lirisht. Ka përkeqësim, por Shqipëria mbetet e para në rajon. Përmirësim ndërkohë regjistrojmë në drejtim të cilësisë së rregullatorëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.