Kontrolli në strukturat turistike – Mehmeti: Kërkojmë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim nga tatimet

Fushata e nisur nga tatimet, e përqendruar në bizneset e lidhura me turizmin, nuk duhet të bëhet vetëm në muajt e verës, por gjatë gjithë vitit.
Presidenti i Shoqatës së Turizmit Shqiptar, Enver Mehmeti, u shpreh gjatë një interviste në TV SCAN, se inspektorët tatimorë duhet të kenë përgjegjshmëri të lartë gjatë kontrolleve, si dhe të jenë bashkëpunues me biznesin e këtij sektori.
“Investimi i fundit i vlerës së shtuar në vlerën 6%, është një risi shumë pozitive e mënyrës të të kuptuarit në treg që ky produkt ka nevojë për këtë ndihmë. Është një risi që e fut tregun dhe produktin shqiptar në tregun rajonal, me të mundshmen dhe aksesin e konkurrencës. Njëkohësisht rrit edhe përgjegjshmërinë e formalizimit të kësaj ekonomie, pasi aktorët tashmë nuk kanë arsye për fshehje fiskale, e cila ka qenë një nga gangrenat e kësaj industrie, sikurse edhe pjesë të tjera të ekonomisë, dhe i jep mundësi këtij tregu të marrë një frymëmarrje reale.
Është bërë një lëvizje në strukturimin e të gjithë komponentëve që kanë të bëjnë me aktorët, që nga agjencitë e udhëtimit, tur operatorët, etj.
Mendoj që task force duhet të jetë një risi tjetër dhe një njësi që duhet të jetë shumë profesionale në mënyrën se si duhet të eci me këto politika të reja për të ndihmuar realisht atë qëllim që ne kemi, për cilësinë e një turizmi të qëndrueshëm”, u shpreh Mehmeti për SCAN.
Kontrollet e kanë nisur pas një analize të hollësishme risku mbi bizneset e këtij sektori, sipas tatimeve. Ndërkohë që sipas analizës së riskut të Tatimeve, informaliteti arrin në thuajse 50% në këtë sektor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.