Kosto e internetit, Shqipëria renditet e 83-ta në Botë

Shqipëria renditet në vendin e 83-të botë, sa i takon kostove të internetit me brez të gjerë. Sipas klasifikimit vjetor nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, në Shqipëri kosto mujore e paketës së internetit me linjë fikse është sa 2.57% e të ardhurave mujore për frymë.
Pozicionimi i Shqipërisë sigurisht që nuk është shumë i mirë në nivel europian apo rajonal, megjithatë së paku, në këtë rast nuk jemi vendi më i shtrenjtë në rajon.
Sipas ITU, më e shtrenjtë se ne është Serbia, ku pagesa mujore për një lidhje bazë interneti është sa 2.94% e të ardhurave mujore mesatare.
Vendi me kosto më të ulëta për këtë shërbim në rajonin tonë rezulton Bosnje Hercegovina, që renditet në vendin e 67 në Botë, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Maqedonia.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, në fund të shtatorit 2016 në Shqipëri ishte afro 262 mijë, në rritje vjetore me afro 14% krahasuar.
AKEP vlerëson se interneti përdoret afërsisht në 36% të familjeve shqiptare, çka është ende një nivel i ulët, që lidhet sidomos me nevojën për zgjerimin e investimit në linja fikse.
AKEP ka përgatitur një projektrregullore që do ta përfshijë edhe internetin në shërbimin e komunikimit universal dhe operatorët do të jenë të detyruar të ofrojnë një shërbim bazë me tarifa të rregulluara.
Kjo mund të rrisë aksesin e popullsisë në internet, por edhe të ulë kostot e marrjes së shërbimit.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.