Kredia për ekonominë – Rritje e lehtë për janarin
Kredia për ekonominë e nisi vitin 2018 me një rritje të lehtë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë në fund të muajit janar arriti në afro 551 miliardë lekë, rreth 500 milionë lekë më shumë krahasuar me dhjetorin.
Me bazë vjetore, ecuria e kredisë ka dhënë shenjat të një daljeje nga stanjacioni. Portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Problemi themelor për rimëkëmbjen e kreditimit të ekonomisë ngelet segmenti i biznesit. Në fund të janarit, portofoli i kredisë në këtë segment pësoi rënie të lehtë krahasuar me dhjetorin dhe vlera e kredisë totale për biznesin është rreth 6 miliardë lekë më e ulët krahasuar me një vit më parë.
Gjallërimi i këtij tregu ngelet përcaktues, duke qenë se ai përbën mbi 61% të kredisë totale për ekonominë. Kredia për biznesin vuan një kërkesë ende të zbehtë nga tregu, ashtu edhe një qëndrim shumë të kujdesshëm të bankave, veçanërisht kundrejt bizneseve të mëdha.
Segmenti i individëve ngelet më i shëndetshëm dhe regjistroi sërish rritje për janarin. Vlera totale e kredisë dhënë individëve nga bankat dhe institucionet e tjera financiare ka arritur në afro 178 miliardë lekë, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bankat janë më aktive në tregun e individëve, edhe për shkak se përqendrimi i rrezikut të kredisë në huamarrës të veçantë është më i ulët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.