Kredia për jorezidentët – 500 mln euro, por vetëm 3.3% kredi me probleme

Kreditimi i huamarrësve jorezidentë në Shqipëri ka fituar përmasa të konsiderueshme në vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, pesha e kredisë dhënë subjekteve jorezidente është ngjitur në 11.3% të tepricës së kredisë në dhjetor 2016, nga 9.2% që shënonte një vit më parë. Në vlerë absolute, teprica e kredisë për jorezidentët arriti në 67.8 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro.

Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë kredia për subjekte biznesi, që përbën rreth 86% të gjithë kredisë për jorezidentët.
Në përgjithësi, kredia për jorezidentët orientohet në afate më të gjata maturimi afatmesme dhe afatgjatë.
Me gjithë rritjen e shpejtë të kreditimit të jorezidentëve në tre vitet e fundit, për momentin, treguesit cilësorë të këtij portofoli nuk paraqesin shqetësime të mëdha.
Raporti i kredive me probleme në këtë segment është mjaft i ulët, në nivelin 3.3% dhe madje paraqitet në rënie nga niveli 4.7% i fundit të vitit 2015.
Sidoqoftë, kreditimi në përmasa të mëdha për jorezidentët ka nisur pas vitit 2014. Duke qenë se bëhet fjalë për kredi relativisht të re dhe një portofol në rritje, cilësia do të duhet të testohet më vonë në kohë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për jo rezidentët përmban disa specifika që lidhen me aftësinë e bankave për të vlerësuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet e huamarrësit që vepron në një juridiksion të huaj. Ndaj, vlerësimi i cilësisë së këtij segmenti të kredisë, kërkon vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm.
Në fakt, kredia për jorezidentët është kryesisht e përqendruar në pak banka të mëdha, që, gjatë viteve të fundit kanë kërkuar alternativa financimi në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe kërkesën e dobët dhe problemet specifike të kreditimit të biznesit në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.