Kreditë me probleme ulen më tej gjatë muajit maj

Raporti i kredive me probleme vlerësohet të ketë rënë më tej gjatë muajit maj. Sipas vlerësimeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, tendenca pozitive në uljen e këtij raporti ka vijuar më tej, ndonëse shifra zyrtare ende nuk është publikuar.
Niveli i kredive me probleme në fund të prillit kishte qenë 16.6%, shifra më e ulët që nga mesi i vitit 2011. Banka e Shqipërisë vlerëson se plani i masave për uljen e kredive me probleme po jep rezultate pozitive. Falë pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura, lehtësimit të ristrukturimeve dhe përmirësimeve në procesin e ekzekutimit të kolateralit, ulja e kredive me probleme më në fund duket në rrugën e një uljeje të qëndrueshme.
Nga grupi i 35 kompanive të mëdha debitore të sistemit bankar, vlerësohet se vetëm për 6 apo 7 prej tyre do të jetë e nevojshme të kalohet në procedura falimenti, ndërsa për pjesën më të mëdha besohet se ristrukturimi i kredive do të vazhdojë dhe ka shpresa se kompanitë mund të rimëkëmben. Pas një marrëveshjeje komplekse ristrukturimi, kompania ARMO ka dalë nga lista e kreditorëve të këqij dhe aktualisht detyrimet ndaj bankave po paguhen rregullisht, falë rifillimit të operacioneve nga një kompani tjetër që ka marrë në pronësi aktivet e uzinës së përpunimit të naftës.
Ndërkohë, projekti më i ri i Bankës së Shqipërisë është krijimi një platforme për trajtimin e ekspozimeve të mëdha të përbashkëta, nga ana e bankave. Kjo platformë do të mundësojë krijimin e kuadri për gjetjen e një zgjidhjeve gjithëpërfshirëse, në rastin kur një kompani ka ekspozim në disa banka.
Deri tani, këto raste janë trajtuar përmes marrëveshjeve me baza vullnetare mes bankave, por marrëveshjet jo gjithnjë kanë funksionuar, sepse jo të gjitha bankat kanë miratuar zgjidhjet e propozuara. Krijimi i një platforme të përbashkët do ta bëjë praktikisht të detyrueshme për të gjitha bankat kreditore zgjidhjen që do të propozohet nga një komitet i përbashkët i kreditorëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.