Kriza e Covid po zbutet në Francë – Banka Qendrore rrit projeksionet. Ekonomia pranë nivelit të para pandemisë
Ekonomia franceze po rimëkëmbet më shpejtë se ç’pritej këtë vit, ndërkohë që kriza e Covid-19 po zbutet, sipas bankës qendrore, që rriti projeksionet për këtë vit. Ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë, pritet të rritet me 6.3% këtë vit, sipas raportit tremujor të Bankës së Francës, që rishikoi vlerësimin e mëparshëm prej 5.8%. Ekonomia ka tejkaluar shumicën e pritshmërive në muajt e fundit, pasi fushata e vaksinimit të vendit u përshpejtua në tremujorin e dytë dhe kufizimet e koronavirusit u zbutën, duke lejuar më shumë biznese të rikthehen në punë.
Raporti i Bankës Qendrore e bën perspektivën për vitin pak më optimiste se qeveria, që po ndërton buxhetin 2022 mbi vlerësimet se ekonomia do rritet me 6% këtë vit. Rimëkëmbja më e shpejtë se ç’pritej do të bëjë që rritja ekonomike të jetë më e ngadaltë në vitin e ardhshëm. Prej zbulimeve nga sondazhi mujor i 8,500 bizneseve, banka qendrore vlerësoi se ekonomia po operon në vetëm gjysmë pikë përqindjeje poshtë niveleve të para krizës dhe se do të kthehet në nivelet normale në fund të vitit për të parën herë që kur nisi pandemia.
Me bazë tremujore banka vlerësoi se ekonomia do të rritet pranë 2.5% në tremujorin e tretë, ç’ka është sa dyfishi i rritjes prej 1.1% në tremujorin e dytë. Ndërkohë që ekonomia po rritet shpejtë, gjysma e kompanive raportuan mungesa të stafit, ndërkohë që më shumë se gjysma e kompanive industriale dhe 61% e firmave të ndërtimit, kishin probleme me zinxhirin e furnizimit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.