Kryeprokurori brenda 1 muaji – Miratohet rregullorja e pikëzimit të kandidatëve, votimi në Kuvend në dhjetor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar të martën rregulloren për pikëzimin e kandidatëve që garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke vënë në lëvizje mekanizmin që zgjedh në mënyrë të pashmangshme Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve.
Sipas KLP, menjëherë pas listimit të 3 kandidatëve sipas pikëve, Kuvendi ka afatin maksimal deri në mes të dhjetorit të votojë një prej tre emrave. Në rast se asnjë prej emrave nuk merr votat e nevojshme të deputetëve, postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm e merr automatikisht kandidati me më shumë pikë.
Tre kandidatët në garë janë Arta Marku, që e mbulon përkohësisht këtë post, Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj. Olsion Ccela, Prokuror i Krimeve të Rënda, ishte kandidati i fundit për Kryeprokuror të Përgjithshëm që priste të kalinte Vetting-un. Ndërkohë që Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fationa Memccaj, është një prej emrave të parë që kaloi me sukses sitën e Veting-ut në fillim të vitit të shkuar falë një pasurie familjare modeste dhe rezultateve pozitive në dy komponentët e tjerë, integritetin dhe aftësitë profesionale.
Duket se kandidatja më e fortë në garë është Arta Marku, që prej dy vjetësh mbulon postin e Prokurorit të përgjithshëm, fakt që u nënvizuar si shqetësim një ditë më parë nga Këshilli Mbikëqyrës i Reformës në Drejtësi. Sipas këtij organi, për shkak të funksionit, Arta Marku është e avantazhuar në garë karshi dy konkurrentëve të tjerë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.