Kthesë në BREXIT/ Bloomberg: Parlamenti britanik sfidon kryeministren May!
Kryeministrja Theresa May rrezikon të humbasë kontrollin e BREXIT . Parlamenti mund ta detyrojë atë këtë javë që të pezullojë divorcin me Bashkimin Europian ose të shkojë sërish në Bruksel për të rinegociuar atë që konsiderohet si “e pamundur”.
“Bloomberg” shkruan se në parlament janë dy beteja kyçe që diskutohen këtë javë:
-Ajo me pro europianët e parlamentit britanik që mbështesin shtyrjen e datës së daljes nga BE me qëllim që të mos dilet pa një marrëveshje. Nëse do të miratohej ky projekt, atëhere kjo do të shënonte nisjen e një beteje të gjatë parlamentare që e vendos BREXIT në pritje.
-Ajo me euroskeptikët që detyron kryeministren May të rikthehet në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian për të kërkuar një rishikim të marrëveshjes. Edhe nëse May bie dakord për ta bërë këtë, sërish ka pikëpyetje nëse zyrtarët e BE-së do të jenë të gatshëm për t’u ulur. Ata ekanë përsëritur vazhdimisht se nuk do të rinegociohet, sidomos çështja e kufirit irlandez.
Britania e Madhe është parashikuar që të lerë Bashkimin Europian me 29 mars. Kryeministrja u ka thënë privatisht anëtarëve të kabinetit se nuk do të lejojë që vendi të dalë pa një marrëveshje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.