Ku çalon sigurimi në bujqësi? – Mungon skema efikase, kompanitë të “tërhequra”, fermerët nuk përballojnë kostot

Pavarësisht se bujqësia është sektori më i rëndësishëm në vend dhe që kontribuon 20 për qind të PBB, është gjithashtu sektori që ka ekspozimin më të lartë ndaj fatkeqësive natyrore, duke bërë që çdo investim të jetë në rrezik. Por përpos kësaj, deri më sot nuk ka një skemë të mirëfilltë sigurimi që të bëjë bashkë kompanitë dhe fermerët, dhe të rrisë ndërgjegjësimin për sigurim me qëllim mbrojtjen e investimeve ndaj kushteve atmosferike, siç janë breshëri, ngricat dhe thatësira apo përmbytjet.
Kompanitë e sigurimit ofrojnë produkte kryesisht për investimet e mëdha të financuara nga banka apo përmes skemave të granteve të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa nuk marrin përsipër riskun në zonat ku ndodhin shpesh fenomene natyrore që sjellin dëmtime të mëdha. Edhe në rastet kur e ndërmarrin këtë risk, kostoja është shumë e lartë, kjo dhe për shkak se janë shumë të paktë ata që kontribuojnë në skemë. Nga ana tjetër fermerët vetë kanë mungesë ndërgjegjësimi, mungesë besimi në dëmshpërblim, por edhe pamundësi financiare për të paguar primet.
Në treg janë aktive shumë pak skema sigurimi, një prej të cilave ofron sigurimin e ndërtesave, makinave dhe makinerive bujqësore, investimet ne bujqësi, prodhimin bujqësor, serat, linja dhe teknologji prodhimi blegtoral, kafshët bujqësore dhe kafshë me vlera të veçanta përdorimi, shpendët, bazën ushqimore. Tarifat për këtë sigurim variojnë nga 0,15% deri në 6,0% të shumës së siguruar, në varësi të objektit si dhe llojeve të risqeve që do të sigurohen.
Por duke qenë se nuk ka shumë interes, siguruesit kanë bërë apel që të ndërhyjë qeveria duke zbutur në një farë forme riskun për kompanitë dhe kostot për fermerët. Së fundmi kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po punohet për një skemë të tillë, por edhe pse sezoni i vështirë ka nisur, ende nuk ka asnjë konkrete.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.