Kuotat për parqet diellore – Qeveria i rrit në 120 MW: Kemi potencial dhe kërkesë nga investitorët
Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen e kuotave për parqet fotovoltaike, duke shkuar në 120 MW nga 50 MW që është aktualisht. Gjithçka përcaktohet në Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Energjisë të Rinovueshme 2018-2020, ku ndër të tjera argumentohet se shkak për këtë ndryshim është bërë potenciali i madh i energjisë diellore dhe sidomos kërkesa e lartë e investitorëve.
Në dokument thuhet se për shkak të planit të veprimit 2015-2020, i cili parashikonte edhe kapacitetin e nevojshëm të impianteve diellore deri në 50 MW në vitin 2020, gjatë periudhës korrik 2017–janar 2018 janë rezervuar në MIE, rreth 58 aplikime për impiante deri në 2 MW PV. Ndërkohë që është pikërisht kjo situatë që ka diktuar nevojën për rritjen e këtyre kuotave.
Sipas planit të veprimit, për shkak të burimeve potencialisht të larta të energjisë diellore (mbi 1700 kë/m2 /vit), në rajone të kufizuara, potenciali i pashfrytëzuar për vendosjen e PV në tokë jopjellore është deri në 1,900 mw.
Ndërkohë që ky burim shihet si mundësia e “artë” që ka Shqipëria dhe tashmë mund të konsiderohet, së bashku me energjinë eolike, si alternativa në diversifikimin e burimeve të rinovueshme në Shqipëri, me qëllim arritjen e objektivit kombëtar për vitin 2020, që është 38%.
Pas depozitimit të kërkesave në MIE, tashmë Enti Rregullator i Energjisë ka nisur shqyrtimin e 2 kërkesave për licencimin e prodhimit të energjisë elektrike nga impiante fotovoltaike, duke i hapur rrugën diversifikimit të burimeve prodhuese të energjisë. Parqet që do të prodhojnë energji nga dielli parashikohet të ndërtohen në zonën e Topojës në Fier. Ndërkohë që, referuar kërkesave, njëri prej tyre do të ketë një kapacitet të instaluar 2000 KW, ndërsa tjetri 1998 KW.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.