Kush janë 8 anëtarët e huaj të ekipit që do të monitorojë vettingun – 4 kanë qenë pjesë e misionit të EULEX

Zyra e Bashkimit Europian ka bërë të ditur sot profilet e vëzhguesve afatgjatë të caktuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të shoqërojnë procesin e vettingut në drejtësi.
Ekipi me tetë anëtarë, 7 prej të cilëve nga sistemet gjyqësore të vendeve të BE dhe një nga ai i Bashkimit Europian, do të vendosen në Tiranë brenda javëve në vijim, së bashku me stafin e tyre mbështetës.
Më poshtë është edhe profili i secilit prej anëtarëve:
Theo Jacobs shërben aktualisht si prokuror në Gjykatën e Apelit të Brukselit, ndërsa së fundmi ka përfunduar edhe detyrën e tij në krye të Zyrës Qendrore për Konfiskim dhe Sekuestrim. Ai bën pjesë në sistemin gjyqësor të vendit të tij prej vitit 1982, duke mbuluar pozicione të ndryshme.
Jacobs nuk është i panjohur për shqiptarët, pasi ka shërbyer edhe në Kosovë si kryeprokuror i misionit të EULEX dhe si anëtar i ekipit europian të Drejtësisë në këtë vend. Ai zotëron një diplomë master në Ligj nga Universiteti i Brukselit.
Ferdinando Buatier de Mongeot është aktualisht një gjykatës i çështjeve kriminale në Gjykatën e Komos në Itali. Teksa ai zotëron një diplomë për ligj nga Universiteti i Gjenevës, ka shërbyer në sistemin e drejtësisë në Itali prej vitit 1999. De Mongeot ka kontribuar edhe si gjykatës ndërkombëtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Eulex në Kosovë, si edhe ka qenë këshilltar për Zyrën e Prokurorisë në Maqedoni.
Elka Ermenkova shërben prej Janarit të vitit 2012 si gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën e Lartë në Kosovë dhe është njëkohësisht anëtare e Panelit të rishikimit të të Drejtave Njerëzore për Misionin e Eulex në Kosovë. Zonja Ermenekova ka shërbyer si gjykatëse në Bullgari nga vitin 1998, ndërsa mes viteve 2008 dhe 2011 është angazhuar me operacionet e menaxhimit të krizave civile në Bosnje, Palestinë, Kosovë, etj. Ajo zotëron dy diploma master, një në administrim gjyqësor nga Universiteti i Denverit në Kolorado, SHBA dhe një për drejtësi nga Universiteti i Neophit Rilski në Bullgari.
Branko Hrvatin sapo ka përfunduar mandatin e tij 12-vjeçar si President i Gjykatës së Lartë në Kroaci. Ndër vite ai ka shërbyer si nënkryetar i Këshillit të Drejtësisë në këtë vend dhe si president i Komisionit të Zgjedhjeve Shtetërore. Në vitin 2014 ai u zgjodh zëvendëspresident i Rrjetit të Presidentëve të Gjykatave të Larta të BE. Hrvatin është diplomuar për ligj nga Universiteti i Zagrebit dhe është i specializuar në çështjet e procedurave civile dhe ligjit të pronave.
Hans Kijlstra është një gjyqtar në Gjykatën e Rrethit në Amsterdam prej vitit 2002. Ai është aktualisht kryetar i dhomës së ekstradimeve dhe Mandateve Europiane të Arrestit. Para se t’i bashkohej gjyqësorit ai ka punuar si oficer ligjor dhe manaxher në administratë.
Mia Roessingh-Bakels ka nisur karrierën e saj në vitin 1978 në një firmë ligjore në Rotterdam, pasi përfundoi studimet juridike në Universitetin e Leydenit. Prej vitit 1982 ka punuar në sistemin gjyqësor holandez. Nga viti 1986 ajo ka shërbyer për 16 vite si prokurore. Ajo është eksperte në çështjet që lidhin gjyqësorin me median dhe me shumë gjasa do të ushtrojë detyra të ngjashme gjatë procesit të vettingut.
Marie Tuma është një gjykatëse e çështjeve kriminale brenda misionit të sundimit të ligjit EULEX në Kosovë. Para kësaj detyre, ajo ka qenë drejtoresha e Institutit Raoul Wallenberg në Suedi, ku ka manaxhuar organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore. Tuma ka asistuar edhe në Gjykatën e Bosnje-Hercegovinës, si një gjykatëse për krime lufte. Ajo ka ushtruar gjithashtu detyrën e prokurores në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për Ish-Jugosllavinë në Hagë.
John S. Leonardo, i vetmi anëtar i ekipit nga Shtetet e Bashkuara është emëruar në vitin 2012 nga Presidenti dhe konfirmuar nga Senati për të shërbyer si Avokat i SHBA në Arizona. Deri në vitin 2017 ai ka shërbyer si prokuror federal, ndërsa nga viti 1993 deri në 2012 ka ushtruar funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Kontesë Pima në Arizona. Leonardo është diplomuar në vitin 1969 nga Universiteti i Notre Dame dhe nga Universiteti i Drejtësisë George Washington në vitin 1972.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.