Kushtetuesja rrëzon kodin zgjedhor – Gjykata heq pragun 1% për kandidatët e pavarur. “Krijon pabarazi në garën për deputetë”
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pikën e Kodit Zgjedhor që përcakton se kandidatët e pavarur nuk marrin dot mandatin e deputetit nëse nuk kalojnë pragun prej 1% të votave në rang kombëtar. Shfuqizimi I këtij neni ishte kërkuar nga Elton Debreshi, I cili garoi si kandidat i pavarur në Dibër në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo pasi Kodi zgjedhor krijonte kushte të pabarabarte gare mes kanditatëve të partive politike dhe ata të pavarur.
Një kandidati partiak I mjaftojnë 10 mijë vota për të fituar mandatin e deputetit, ndërsa një kanditat I pavarur nuk mund ta përfitojë pa grumbulluar 16 mijë vota. Kandidati i pavarur, Elton Debreshi, i cili në zgjedhjet e 25 prillit mori 580 vota, dorëzoi një padi në Kushtetuese kundër pragut 1% të votave në rang kombëtar për t’u zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku theksonte se pragu është është diskriminues për kandidatët e pavarur.
Vendimi i Gjykatës Kushtetueses, shfuqizon pjesërisht një pikë në nenin 162 të Kodit Zgjedhor, duke argumentuar se kandidatët e propozuar nga zgjedhësit nuk janë të barabartë me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicionet e partive.
Gjykata vendosi “Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike”.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.